Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Në kuadër të kësaj vizite, kreu i shtetit shqiptar sot do të marrë pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).
Në këtë ngjarje të rëndësishme për jetën akademike dhe kulturore të vendit pritet të marrë pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Një ditë më parë, Presidenti Begaj qëndroi në Rahovec, ku u prit nga kryetari i Komunës, Smajl Latifi, i cili e dekoroi atë me “Medaljen e Lirisë”. Sipas motivacionit zyrtar, ky dekorim iu nda “për kontributin atdhetar e humanist, për rolin e tij në mbrojtjen e vlerave kombëtare shqiptare në të gjitha etapat e historisë, për angazhimin e vazhdueshëm në afirmimin kombëtar e ndërkombëtar të çështjes shqiptare, si dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e historike në trojet etnike shqiptare”.





