Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të dëshironte që në projektin e “Serbisë së Madhe” ta kishte Kosovën por pa shqiptarë dhe Malin e Zi por pa malazezë. Sipas tij, Vuçiqi e konsideron kthimin e Malit të Zi në Serbi kompensimin e vetëm për Kosovën.
Mali i Zi kohëve të fundit është përballur me turbulenca politike e etnike, që nxitën frikën për luftë civile me pushtetin aktual që po akuzohet se po punon në mohim të shtetësisë dhe kombit malazias. Javën e shkuar, Mali i Zi ishte pranë konfliktit me qytetarë që ishin kundër inaugurimit të mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi në qytetin historik të Cetinës. Pala malazeze që është kundër ndërhyrjeve serbe po e akuzon presidentin serb Aleksandar Vuçiq për destabilizimin. Këtu bën pjesë edhe Gjukanoviq që e ka cilësuar shumë serioze situatën e fundit.
Në një intervistë për “Jutarnji”, Gjukanoviq ka thënë se Serbia dhe Rusia po duan ta vënë nën kontroll Malin e Zi, në çfarëdo mënyrë që mund të bëhet.





