LAJME

Presidenca: U konfirmua se Osmani s’ka bërë shkelje, Kuvendi që nesër ta caktojë datën e seancës

Presidenca: U konfirmua se Osmani s’ka bërë shkelje, Kuvendi që nesër ta caktojë datën e seancës
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Mars 2026, 20:29

Presidenca përmes një komunikate ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Presidentja ka ftuar Kuvendin që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në njoftimin e saj, Presidenca thotë se edhe gjykata e konfirmon se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet.

“Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Presidenca ka thënë tutje se gjykata në asnjë paragraf nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes.

“Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve”.
Ndërkohë, u ka bërë thirrje deputetëve që urgjentisht ta kryejnë detyrimin për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Deklaratat politike për kinse shkelje kushtetuese tregojnë edhe keqlexim të aktgjykimit, por edhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e Presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së Presidentit”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika