Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së përdorur në debat publik ku është bërë thirrje për “pushkatim” të presidentes Vjosa Osmani, duke e cilësuar atë si të rrezikshme dhe nxitëse të dhunës politike.
Në një reagim zyrtar, Presidenca thekson se përdorimi i termit “pushkatim” në debat politik nuk përbën kritikë apo shprehje opinioni, por një gjuhë që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën në skenën politike.
Sipas Presidencës, Kosova nuk duhet të jetë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë për figura të zgjedhura nga qytetarët. Reagimi thekson se mentaliteti që prodhon një gjuhë e tillë ka mbajtur për dekada peng debatin publik përmes etiketimeve, shpifjeve dhe linçimeve.





