Të mërkurën është mbajtur takimi i dytë i grupit punues për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Presidenca çeke e Këshillit të BE-së, ka njoftuar se shtetet anëtare kanë diskutuar kompromisin e Presidencës, propozim për kërkesën për të lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionimin e sistemit ETIAS.
Pas një diskutimi të gjatë, nuk u arrit konsensus; megjithatë, shtetet anëtare bënë progres të rëndësishëm në negociata.
“Pas një diskutimi të gjatë, nuk u arrit asnjë konsensus; vendet anëtare, megjithatë, bënë përparim të rëndësishëm në negociata. Presidenca do t’u rikthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të përpiqet ta përfundojë sa më shpejt punën për këtë çështje të rëndësishme”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Presidencës çeke.
Ndryshe, ETIAS, është sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.
Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.
Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë, por disa udhëheqës individualë të bllokut kanë shprehur vazhdimisht rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.
Më 12 tetor, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.
Nga Republika Çeke, e cila mban Presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit 2022, kanë thënë disa herë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të tyre.