Presidenca e Kosovës tha se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka konfirmuar se asnjë nga vendimet e deritanishme të presidentit amerikan, Donald Trump, “tani për tani, nuk e afektojnë negativisht Kosovën”.
Këshilltari për media i presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se këtë konfirmim Kasanof e ka bërë gjatë takimit që ka pasur në Uashington me shefen stafit të Osmanit, Learta Hollaj.
Kjo deklaratë nga Presidenca e Kosovës vjen pasi Trump në ditën kur mori mandatin e presidentit nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politik.
Radio Evropa e Lirë më 21 janar ka pyetur Ambasadën amerikane në Prishtinë dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parapara për Kosovën, por nuk ka marrë përgjigje./REL/