Disa orë para se Gjykata Kushtetuese të dalë më vendim rreth ngërçit institucional, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ndarë një deklaratë të ngarkuarës më punë, Anu Prattipati, të dhënë ditë më parë, ku ajo thekson se ShBA nuk mund të mbështetet në një vend pa institucionet bazë.
Në deklaratën e saj, Prattipati ka thënë se Administrata Trump kërkon aleatë të fortë më të cilët mund të avancojnë priorietet, teksa paralajmëron se nga ngërçi mund të preken investimet e kompanive amerikane, ashtu që ato që kanë planifikuar të investojnë në Kosovë, ta bëjnë këtë në ndonjë shtet tjetër.
“Formimi i një qeverie pas zgjedhjeve është një funksion bazik demokratik, dhe ky bllokim i vazhdueshëm politik po rezulton në humbje të mundësive për Kosovën. Administrata Trump kërkon aleatë të fortë me të cilët mund t’i avancojmë prioritetet tona; një vend pa institucionet bazë dhe me një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre është një partner tek i cili nuk mund të mbështetemi gjithmonë plotësisht. Kompanitë amerikane kërkojnë qeveri të qëndrueshme dhe partnerë të besueshëm kur shqyrtojnë ku të investojnë, dhe paaftësia e Kosovës për t’i formuar institucionet mund të bëjë që kompanitë të bëjnë biznes diku tjetër”, thuhet në deklaratën e shpërndarë.





