Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa njofton se ka gjobitur me 20 mijë euro subjektin Lista Serbe për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes.
Subjekti “Kosovski Savez” është ankuar në PZAP se në Leposaviq, në disa vende të ndryshme, janë vendosur materiale propagandistike.
Për këto pretendime të këtij subjekti, Lista Serbe nuk ka kthyer përgjigje në ankesë.
PZAP thotë se e ka gjetur si të bazuar ankesën për të cilën ka thënë se ankuesi ka bashkëngjitur fotografi të vendeve ku janë vendosur materialet.
Lista Serbe kishte vendosur material promovues në hapësira publike si shtylla elektrike, parqe, stacion të autobusit, mbikalim, trafo-stacione elektrike e rrugë publike.
Në vendim thuhet se vendosja e materialeve promovuese pa leje të organeve kompetente, përbën shkelje të legjislacionit zgjedhor.
Sipas vendimit të PZAP, Lista Serbe duhet menjëherë t’i largojë posterat dhe materialet e tjera zgjedhore nga vendet ku ato janë të vendosura, teksa dështimi për t’i hequr ato do ishte shkelje tjetër e ligjit e cila mund të sanksionohet me dënim tjetër shtesë.
Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta qasni në këtë vegëz.
