Posta e Kosovës ka njoftuar se ka lëshuar në qarkullim emisionin e pullave postare me figurën e regjisorit Bekim Lumi.
“Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot (30.07.2025) në qarkullim emisionin e pullave postare në nderim të figurës dhe veprës së regjisorit dhe pedagogut të mirënjohur kosovar, Bekim Lumi”- thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
Bekim Lumi (1966-2018), sipas njoftimit të Postës, ka dhënë kontribut në skenën teatrore dhe në edukimin artistik në Kosovë. Ai ishe një regjisor vizionar dhe avangardë, por edhe pedagog i përkushtuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
“Me regji të guximshme dhe qasje bashkëkohore, teatrit shqiptar i dha një frymë të re, prandaj me të drejtë konsiderohet si njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit shqiptar”- thuhet në njoftim.
Prej vitit 2006 deri më 2010, Lumi nxori revistën teatrore “Loja”.
Në njoftimin Postës është dhënë edhe një historik i shkurtë i të arriturave të regjisorit Lumi në artin skenik.
Me shfaqjet e tij ka marrë pjesë në dhjetëra festivale teatrore me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, si në: Zvicër, Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë e Hercegovinë, e në vende të tjera.
Për punën e tij regjisoriale është shpërblyer me shumë çmime, ndër të cilat veçohet ai i vitit 2006, kur në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës, për shfaqjen “Mësimi” të realizuar në Teatrin “Dodona”, fitoi çmimin kryesor ”Shfaqja më e mirë”.
Po ashtu, në vitin 2016 u nderua nga Ministria e Kulturës së Kosovës me çmimin vjetor “Regjisor i vitit”. Për shfaqjen e tij “Arturo Ui”, më 2019, Lumi u nderua nga MKRS-ja me shpërblimin “Regjia më e mirë e vitit” dhe shfaqja u shpall “Shfaqja më e mirë e vitit”.
Më 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi Bekim Lumin post mortum me Medaljen Presidenciale të Meritave në fushën teatrore.
Bekim Lumi, si pedagog dhe profesor, ishte figurë formuese e brezave të aktorëve të rinj dhe regjisorëve, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin artistik dhe skenik në vend.
Pas vdekjes së tij, Qendra Multimedia i ka botuar veprat, si: “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” 2019, një studim krahasues, librin me poezi “Engjëlli blu” 2021, si dhe librin “Loja e Bekim Lumit”, kritika, shqyrtime dhe shënime.
Figura dhe veprat e Bekim Lumit, sipas njoftimit vazhdojnë të mbesin inspirim për brezat që vijnë.
Bekim Lumi vdiq në vitin 2018 pas një sëmundje të rëndë.