Konglomerati me bazë në Hong Kong, “CK Hutchison Holding” i cili operon portet pranë Kanalit të Panamasë, ka rënë dakord që t’i shesë aksionet e saj një grupi biznesi, ku përfshihet edhe firma amerikane “BlackRock”. Zhvillimi vjen pasi Presidenti Trump shprehu shqetësimet për ndërhyrje të Kinës në veprimtaritë e kësaj rruge të rëndësishme tregtare që lidh Atlantikun me Paqësorin.
Në dokumentet e paraqitura autoriteteve, konglomerati “CK Hutchison Holding” tha të martën se do të shesë të gjitha aksionet e dy njësive të saj, “Hutchison Port Holdings” dhe “Hutchison Port Group Holdings”. Të dy njësitë përbëjnë 80% të grupit “Hutchison Ports” që operon 43 porte në 23 vende.
Konsorciumi, i përbërë nga “BlackRock” dhe “Global Infrastructure Partners” me seli në Shtetet e Bashkuara dhe “Terminal Investment Limited” me seli në Zvicër, do të marrë në pronësi 90% të interesave të firmës “Panama Ports Company”, e cila zotëron dhe operon portet ‘Balboa’ dhe ‘Cristobal’ në Panama, sipas dokumentacionit të paraqitur në zyrat përkatëse.





