Kapiteni Bajram Shabani, shef i sektorit për planifikim permanent dhe koordinim operacional në Policinë e Kosovës, ka deklaruar se organizimi i sigurisë të martën po realizohet në përputhje të plotë me protokollet e UEFA-s.
Sipas tij, UEFA delegon zyrtarët e saj të sigurisë për ndeshje të tilla, ndërsa protokollet përkatëse tashmë po implementohen nga Policia e Kosovës, e cila është e certifikuar për këtë detyrë.
“UEFA në rastin konkret i delegon përfaqësuesit, zyrtarët e vet që i ka për siguri, të cilët e kanë protokollin e UEFA-s për siguri, ai protokoll implementohet tani edhe nga Policia e Kosovës ngase siç ju thashë edhe më parë, ne jemi të certifikuar për atë detyrë. Policia e Kosovës FFK-ja kanë intensifikuar kontaktet, bashkëpunimin me UEFA-n, pastaj jemi familjarizuar me rregulloret e UEFA-s që janë për siguri dhe për ne si Polici tani kjo është jashtëzakonisht lehtësim i madh ngase në këtë drejtim jemi jashtëzakonisht profesional”, ka thënë ai në emisionin “tre8tre” në KTV.





