Në realizim të vendimit të Qeverisë për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontroll, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, policia rajonale në Prizren, ka ndërmarrë masa për kontroll duke zbatuar vendimin e Qeverisë.
Në një komunikatë për media, policia ka njoftuar se gjatë inspektimit dhe kontrollimit në rrugën Prizren-Landovicë, në dy lokale të kafiterive, policia ka vërejtur se kanë punuar në kundërshtim me vendimin e Qeverisë si dhe ka intervenuar në një aheng familjar (dasmë) të organizuar.
Për këtë janë informuar Inspektorët të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të urdhrit të Inspektorit, kafiteritë janë mbyllur, dasma është ndaluar dhe janë shpërndarë dasmorët. Në lidhje më këtë, për organizimin në kundërshtim të vendimit të Qeverisë, janë shqiptuar dënime nga ana e Inspektorëve.
Gjithashtu, në mos zbatim të masave dhe ligjit për pandeminë, në tri ditët e fundit janë shqiptuar 400 tiketa trafiku për mos mbajtje të maskës, distancës sociale dhe organizim të ahengjeve.
Andaj, në zbatim për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontroll, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, policia në Prizren do të vazhdojë duke vepruar gjatë gjithë kohës së bashku me Inspektorët dhe mekanizmat tjerë shtetëror në bazë të vendimit të Qeverisë dhe ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftim.