Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të kenë kujdes gjatë shitjes së produkteve përmes platformave online, pas evidentimit të rasteve të mashtrimit përmes linqeve të rreme që synojnë marrjen e të dhënave bankare.
Sipas Policisë, personat e dyshuar kontaktojnë qytetarët që kanë publikuar produkte për shitje, paraqiten si blerës të interesuar dhe më pas u dërgojnë vegëza mashtruese, përmes të cilave kërkojnë të dhënat e kartelave bankare, kinse për të realizuar pagesën.
Për të shmangur këto raste, Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos hapin linqe të dyshimta dhe të mos japin të dhënat e kartelave bankare, përfshirë numrin, datën e skadimit, kodin CVV/CVC apo kodet e konfirmimit bankar.





