LAJME

Policia: Operacion i madh kundër krimeve të luftës në Kosovë, pesë të arrestuar për vrasjet e vitit 1998 në Syriganë

Policia: Operacion i madh kundër krimeve të luftës në Kosovë, pesë të arrestuar për vrasjet e vitit 1998 në Syriganë
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Mars 2026, 11:10

Policia e Kosovës ka njoftuar se në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka realizuar me sukses operacionin policor të koduar “SYRIGANA”, që ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.

“Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës së bashku me Prokurorinë Speciale, pas një pune intensive dhe hetimi profesional, kanë zhvilluar veprime hetimore lidhur me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998. Gjatë këtij procesi janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante, si dhe janë identifikuar persona të dyshuar, për të cilët është përpiluar kallëzim penal dhe dorëzuar në Prokurorinë Speciale” – thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur në njoftim, në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin special, hetuesit kanë ndërmarrë veprime shtesë hetimore, konform autorizimeve ligjore. Si rezultat i provave dhe dëshmive të grumbulluara, prokurori special ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

“Sot, më 01.03.2026, duke filluar nga ora 06:00, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur nga Njësia Speciale Operative, kanë realizuar planin operativ “Syrigana” në gjashtë lokacione të ndara – pesë në Komunën e Skenderajt dhe një në Mitrovicën e Veriut – ku janë arrestuar pesë persona të dyshuar” – njofton Policia.

Sipas njoftimit, gjatë zbatimit të operacionit, përmes prokurorit special është siguruar urdhër verbal për bastisje, i miratuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.

Policia njofton se bastisjet janë kryer në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse, ku janë konfiskuar:

• 1 armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, kalibër 7.62 x 39 mm
• 1 armë brezi e tipit Zastava M-57, kalibër 7.62 x 25 mm
• 2 karikatorë dhe 77 fishekë, kalibër 7.62 x 25 mm
• 1 pushkë gjuetie 12 GA (prodhim i ish-BRSS) me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi
• Uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave

Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale theksojnë se mbeten të përkushtuara në zbardhjen e krimeve të luftës dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë, duke garantuar sundimin e ligjit dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika