LAJME

Policia: Në vilën e Millan Radoiçiqit në asnjë rast nuk lejohen persona të paautorizuar apo civilë

Policia: Në vilën e Millan Radoiçiqit në asnjë rast nuk lejohen persona të paautorizuar apo civilë
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Maj 2026, 07:20

Policia e Kosovës sqaroi se në vilën e Millan Radoiçiqit në Mitrovicë të Veriut çdo hyrje-dalje monitorohet nga policia dhe se hyrja-dalja bëhet vetëm nga personat e autorizuar: zyrtarët policorë, zyrtarët e mbrojtjes së afërt, zyrtarët institucionalë dhe vetëm personat që marrin leje të caktuar dhe në asnjë rast nuk lejohen persona të tjerë apo civilë.

Sqarimi i Policisë së Kosovës që nuk përmend emra, vjen pas akuzave të ish-deputetit Hisen Berisha ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për prostitucion, që Berisha i bëri në një debat të ashpër me ish-deputetin e Vetëvendosjes Adnan Rrustemi.

“Ju pjella të Serbisë ju punën e Serbisë e bëni në Kosovë me Listën Serbe bashkëpunoni ju. Ku e ke zotin Sveçla? E kishe me prostituta në vilën e Radoiqiçit dhe secilin prej juve”, u shpreh Berisha në A2CNN.

Ndërsa, Policia e Kosovës thekson se sipas detyrës dhe autorizimeve zyrtare, që nga koha e marrjes së objektit në mbikëqyrje për siguri, ka të vendosura njësitë e saja policore të profileve të ndryshme, të cilat kujdesen për sigurinë e objektit dhe hapësirës përreth.

“Objekti sigurohet nga zyrtarët policorë dhe i njëjti vëzhgohet 24 orë nga kamerat, të cilat mbikëqyren nga zyrtarët policorë dhe qendra operative. Çdo lëvizje apo hyrje-dalje në këtë objekt, monitorohet nga policia dhe se hyrja-dalja, bëhet vetëm nga personat e autorizuar që u lejohet qasja, siç janë zyrtarët policorë, zyrtarët e mbrojtjes së afërt, zyrtarët institucional dhe vetëm personat që marrin leje të caktuar dhe në asnjë rast nuk lejohen përsona të tjerë apo civil” – thuhet në njoftim.

Bazuar në procedurat policore, mbikqyrjen strikt të objektit dhe vëzhgimit të objektit nga kamerat, Policia ka bërë të ditur se në këtë objekt nuk është zhvilluar asnjë aktivitet i kundërligjshëm apo çështje që pretendohet apo deklarohet nga individ të caktuar në media.

Policia e Kosovës thekson tutje se do të vazhdojë të ofrojë siguri në mbarë vendin, përfshirë në objektin në fjalë në Mitrovicë Veri dhe se do të mbajë të informuar drejt mediat dhe qytetarët me qëllim të parandalimit të dezinformimit të qytetarëve dhe njollosjes se personave, zyrtarëve të cilët kujdesen për sigurinë dhe rendin kushtetues.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika