LAJME

Policia në Prizren zhvillon fushatë ndërgjegjësuese me nxënësit kundër narkotikëve

Policia në Prizren zhvillon fushatë ndërgjegjësuese me nxënësit kundër narkotikëve
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Maj 2026, 08:13

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, e udhëhequr nga koordinatori i projekteve, së bashku me zyrtarët policorë të Stacionit Policor të Prizrenit, zyrtarë nga Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë (DHTN) të rajonit të Prizrenit, si dhe ekipin policor K-9 “Perëndimi” nga njësitë speciale policore, njofton se ka realizuar të enjten, fushatën kundër narkotikëve me projektin “Errësirë – dritë”.

Siç bëhet e ditur, aktiviteti është zhvilluar në një shkollë të mesme në Prizren, ku morën pjesë nxënësit dhe psikologu i shkollës. Fillimisht, nxënësit u njoftuan me projektin dhe mesazhin senzibilizues “STOP DROGAVE”, përmes një ligjërate vetëdijesuese. Më pas, thuhet se nxënësve iu dha mundësia të japin mesazhet e tyre kundër drogave, të cilat u lexuan gjatë aktivitetit.

“Pas ligjëratës, në hapësirat e brendshme të shkollës, u prezantua njësia policore K-9. Zyrtarët e kësaj njësie demonstruan simulimin e gjetjes së substancës narkotike të fshehur paraprakisht, duke treguar nga afër rolin e qenit policor në identifikimin e substancave narkotike dhe rëndësinë e kësaj njësie në luftën kundër dukurive negative” – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ky aktivitet ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve për rreziqet e drogave dhe të forcojë bashkëpunimin mes institucioneve arsimore dhe Policisë së Kosovës në krijimin e një mjedisi më të sigurt për rininë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika