LAJME

Policia në Prizren: Personi që hedhi gjësende nga banesa i njohur për ne, është recidivisti

Policia në Prizren: Personi që hedhi gjësende nga banesa i njohur për ne, është recidivisti
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Gusht 2023, 14:58

Një person në Prizren nuk la gjë pa hedhur sot nga ballkoni i banesës së tij. Duke bërtitur, ai hedhi gjithçka në tokë, moment ky që i ka tronditur banorët përrreth.

Me të marrë vesh rastin, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe e ka vënë në kontroll personi që ishte ngujuar në banesën e tij në Prizren nga ku edhe hidhte gjësende nga ballkoni.

Policia i ka thënë Gazetës Sinjali se personi është i njohur për ta.

“Është recidivist, emër i njohur për Policinë në Prizren”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

Gashi më herët po ashtu ka njoftuar se personi dyshohet të jetë me probleme mendore, dhe se është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

“I njëjti është ngujuar në banesën e tij dhe ka filluar që t’i kapë gjësendet dhe t’i hedhë nga ballkoni, me c’rast dyshohet se i ka dëmtuar disa automjete”, tha Gashi.

Policia prizrenase tha se nuk ka të lënduar nga ky rast, mirëpo disa vetura raportohet të jenë dëmtuar si pasojë e gjësendeve që i dyshuari i ka hedhur nga banesa e tij.

“Veprimet policore kanë qenë: është arritur të hapet dera e banesës dhe i njëjti është vënën nën kontroll, dhe është duke u shoqëruar për dhënien e ndihmës së shëndetit mental në Spitalin Rajonal të Prizrenit”.

“Nuk ka persona të lënduar. As personi në fjalë nuk ka lëndime”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika