LAJME

Policia në Prizren me aksion në disa barnatore, gjen një sasi të barnave pa banderola të cilat ishin të fshehura mbrapa rafteve

Policia në Prizren me aksion në disa barnatore, gjen një sasi të barnave pa banderola të cilat ishin të fshehura mbrapa rafteve
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Prill 2023, 00:11

Hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, të premten kanë zhvilluar një operacion policor në rajonin e Prizrenit.  Në realizim të këtij operacioni, janë kontrolluar 10 subjekte – barnatore, për të cilat ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se të njëjtat biznese janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola dhe të njëjtat produkte dyshohet se janë kontrabanduar dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Operacioni ka qenë i koordinuar së bashku me Doganën e Kosovës (Njësia e Anti-kontrabandës) dhe Inspektorët Farmaceutik nga Ministria e Shëndetësisë.

Në njërën nga barnatoret është gjetur një sasi e barnave pa banderola të cilat ishin të fshehura mbrapa rafteve të lokalit. Barnat pa banderola janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, kurse hetuesit policorë e kanë shoqëruar një person të dyshuar në Stacionin Policor në Prizren, si pronar i disa barnatoreve të cilat janë kontrolluar.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës. Pas intervistimit është njoftuar prokurori kujdestar nga PTH-Prizren i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’’ dhe ‘tregti e ndaluar’,  kurse i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt, thuhet në raportin e Policisë së Kosovë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika