LAJME

Policia konfiskon mbi 170 pajisje për kriptovaluta në Veri, ministrja publikon pamjet

Policia konfiskon mbi 170 pajisje për kriptovaluta në Veri, ministrja publikon pamjet
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Prill 2023, 15:54

Policia e Kosovës ka konfiskuar 174 pajisje të paligjshme, që ishin përdorur për mihjen e kriptovalutave, gjatë një aksioni në Zubin Potok.

Kështu bëri të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një postimi në Twitter.

“Mospagimi i faturave të energjisë elektrike ka inkurajuar aktivitetet e tilla të paligjshme. Për këtë Serbia bllokon zbatimin e Udhërrëfyesit për energjinë. Ne kemi përmbushur zotimet tona. Është koha që edhe pala tjetër urgjentisht të bëjë të njëjtën gjë”, ka shkruar ajo në Twitter.

Më herët gjatë ditës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte konfirmuar aksionin e autoriteteve të vendit në veriun e banuar me shumicë serbe, por nuk kishte dhënë më shumë detaje.

Më 2022, kur Kosova u përball me krizë të energjisë, Qeveria e Kosovës ndaloi mihjen e kriptovalutave, proces që shpenzon shumë energji elektrike.

Edhe më herët, zyrtarët policorë kishin kryer aksione të ngjashme në rajone të ndryshme të Kosovës, duke konfiskuar pajisje për kriptovaluta.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika