Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë vënë në gjendje gatishmërie në rast të përshkallëzimit të situatës në veri të vendit, pasi sot serbët lokalë kanë bllokuar hyrjet në ndërtesat komunale në Zubin-Potok, Leposaviq e Zveçan, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në objekte, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se pjesëtarët e Policisë kanë kaluar nga orari 8 orësh në atë 12 orësh, teksa janë vënë në aktivizim edhe njësitë tjera rezervë me qëllim të përgatitjes për situata që mund të përshkallëzohet në veri të vendit dhe jo vetëm, në rast se nuk ka ndërhyrje nga aleatët ndërkombëtarë.
Ndryshe, dy kamionë janë vendosur tek ndërtesa e Komunës së Leposaviqit. Njëri nga ta ka qenë i ngarkuar me gurë, të cilët janë zbrazur tek ndërtesa e Komunës.





