Policia e Kosovës njofton se ka gjetur dhe sekuestruar gjashtë granata dore dhe pjesë të uniformës së Policisë së Kosovës në një shtëpi të braktisur në fshatin Dobroshevina, në komunën e Zubin Potokut.
Sipas njoftimit zyrtar, më 10 shkurt 2026, rreth orës 23:20, njësitë e Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë e Veriut, gjatë patrullimit, kanë pranuar informacion për praninë e mjeteve të dyshuara ilegale në një objekt të braktisur.
Pas kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë granata dore, një maicë dhe dy këmisha të Policisë së Kosovës.
Në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), e cila ka larguar mjetet shpërthyese në mënyrë të sigurt.
Të gjitha veprimet janë zhvilluar në koordinim me Prokurorin e Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Lidhur me rastin, deri më tani nuk raportohet për persona të arrestuar.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar që të vazhdojnë të raportojnë çdo rast të dyshuar në numrin 192.






