Orët e para të së dielës nisen me sulme të armatosura nga grupe terroriste serbe në fshatin Banjskë të Zveçanit ku i vdekur mbeti, Afrim Bunjaku, polic i Kosovës dhe u lënduan tre policë të tjerë, njëri prej tyre me armë zjarri. Të vdekur mbetën edhe tre sulmues.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të dielën se gjashtë persona janë ndaluar pë 48 orë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe dyshohen për disa vepra penale. Një nga to është për vepra terroriste.
“Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, janë veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit.
Në njoftimin e saj të fundit, Prokuroria ka njoftuar se në aksionin e së dielës janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.
Policia e Kosovës ka thënë të hënën për KOHËN se situata ka qenë e qetë gjatë natës.
Edhe në komunikatën e fundit të dielën në mbrëmje ka vlerësuar se situata në Banjskë është e tensionuar por më e qetë.
Është bërë e ditur se në udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në bashkëkoordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in kanë hyrë në objektet përcjellëse të manastirit të Banjskës për realizim të detyrave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në reagimin e tij të fundit, pak para mesnatës ka deklaruar se po vazhdon operacioni policor në veri, derisa ka shtuar se Policia e Kosovës mbetet në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in e EULEX-in.
Për rastin kanë reaguar edhe bashkësia ndërkombëtare.
Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas sulmeve të fundit në veri të Kosovës, ka thënë se të gjithë duhet t’i kthehen menjëherë dialogut. Lajçaku ka dënuar sulmin kundër Policisë së Kosovës, duke thënë se autorët duhet të dalin para drejtësisë.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë thirrje që sulmuesit e Policisë në veri të dorëzohen menjëherë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka dënuar ashpër sulmet e orkestruara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës në mëngjesin e së dielës, duke thënë se autorët e këtij sulmi duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi.