LAJME

Policia e Shqipërisë dhe e Kosovës nënshkruajnë marrëveshje për patrullime të përbashkëta në sezonin turistik 2026

Policia e Shqipërisë dhe e Kosovës nënshkruajnë marrëveshje për patrullime të përbashkëta në sezonin turistik 2026
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Qershor 2026, 17:54

Policia e Shtetit të Shqipërisë dhe Policia e Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor gjatë sezonit turistik 2026, me synim garantimin e sigurisë rrugore dhe menaxhimin sa më efikas të flukseve të lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve.

Marrëveshja u firmos në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, ku Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, priti homologun e tij nga Kosova, Gazmend Hoxha.

Sipas palëve, marrëveshja vjen si përgjigje ndaj fluksit të lartë të shtetasve dhe mjeteve që hyjnë nga Kosova drejt Shqipërisë gjatë sezonit veror, si dhe lëvizjes intensive në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë.

Fokusi kryesor i bashkëpunimit do të jetë përdorimi i teknologjisë në monitorimin e trafikut, me synimin për të shmangur ndalimet e panevojshme të automjeteve dhe për të rritur efikasitetin e kontrolleve rrugore.

Po ashtu, efektivët e të dyja policive do të angazhohen në parandalimin e aksidenteve, evidentimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor, menaxhimin e trafikut, si dhe në luftën kundër krimeve ndërkufitare.

Gjatë fjalës së tij, Hita vlerësoi bashkëpunimin mes dy institucioneve, duke theksuar se partneriteti mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës ka sjellë rezultate konkrete në goditjen e krimit të organizuar, trafikimit të armëve, narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm, si dhe në shkëmbimin në kohë reale të informacionit.

Ai bëri të ditur se Policia e Shtetit ka shtuar përdorimin e dronëve, radarëve dhe automjeteve inteligjente për monitorimin e qarkullimit dhe matjen e shpejtësisë, duke reduktuar kontaktin fizik mes efektivëve dhe drejtuesve të mjeteve, si dhe duke rritur transparencën në kontrollet rrugore.

Nga ana tjetër, Hoxha shprehu gatishmërinë e Policisë së Kosovës për të kontribuar me efektivë të trajnuar në zonat turistike dhe bregdetare të Shqipërisë gjatë sezonit veror, me qëllim rritjen e sigurisë për qytetarët dhe turistët.

Ai theksoi gjithashtu vendosmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në shkëmbimin e inteligjencës kriminale dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Në përfundim të takimit, dy drejtuesit nënshkruan marrëveshjen që do të shërbejë si bazë për organizimin e patrullimeve të përbashkëta rrugore gjatë sezonit turistik 2026, duke riafirmuar angazhimin për siguri më të lartë rrugore dhe bashkëpunim më të ngushtë mes dy policive.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika