Policia Rajonale në Prizren në një komunikate për media, ka njoftuar se gjatë fundjavës, nga data 12-14 mars 2021, ka vepruar duke u bazuar në vendimet e Qeverise së Republikës së Kosovës për masat mbrojtëse kundër Virusit ‘Covid 19’, dhe me këtë rast Policia ka kryer kontrolle të shtuara në disa lokacione si : lokale të natës, gastronomi, qendra tregtare, sheshe, komunikacion etj.
Gjatë zbatimit dhe veprimeve zyrtare, në komunën e Prizrenit, policia ka shqiptuar 305 tiketa për personat të cilët nuk i kanë respektuar këto masa në bazë të ligjit 07/L-006, dhe gjithsej 4 fletë-paraqitje për lokalet të cilët nuk e kanë respektuar orarin. Në asistim dhe bashkëpunim me inspektorë janë realizuar kontrolle në 32 lokale. Për parregullsi të dokumenteve dhe leje qëndrimi jo të rregullta, në këto lokale, Policia ka gjetur dhe ndaluar 23 punëtore-valltare nga Republika e Shqipërisë, të cilat dorëzohen te Drejtoria për Migrim dhe të Huaj.
Në zbatim te masave dhe realizim të planeve operative, një aktivitet i shtuar për fundjavë ishte edhe në fushën dhe mbikëqyrjen e komunikacionit rrugor, për këtë Policia gjeti parregullsi dhe shqiptoi 589 kundërvajtje për drejtuesit e automjeteve në komunikacion.





