Në fshatin Mleqan të Malishevës, më 08.10.2021, në ora 12:00 është mbajtur një protestë paqësore (e lajmëruar paraprakisht në Policinë e Kosovës), në të cilën kanë marrë pjesë rreth 50-60 banorë të fshatit Mleqan me qëllim që përmes kësaj proteste të shfaqin pakënaqësitë e tyre në lidhje me rastet e vjedhjeve që kanë ndodhura në këtë fshat.
Stacioni Policor Malishevë ka planifikuar dhe ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së protestës, rreth orës 12:25 minuta protestuesit janë shpërndarë qetësisht.
Me qëllim njoftimin e opinionit publik, në vijim ju paraqesim një kronologji të rasteve të raportuara, ecurinë e hetimit dhe statusin aktual të rasteve: që nga fillimi i vitit e deri më 07.10.202, nga banorë të fshatit Mleqan janë raportuar gjithsej shtatë raste ‘vjedhje’, ku janë atakuar kryesisht objekte banimi (shtëpi). Tri nga shtatë rastet e raportuara janë zbuluar, të dyshuarit janë arrestuar dhe lëndët e kompletuara janë dërguar në prokurori. Në dy raste tjera kryerësit e mundshëm janë identifikuar, por që aktualisht janë në arrati, ndërsa dy raste tjera mbeten ende nën hetim, ndërkohë që policia po zhvillon hetime intensive për identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.





