Policia e Kosovës sot ka pranuar donacionin e kamerave të trupit që i ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky është një projekt i përbashkët midis INL-DOS dhe ICITAP-DOJ.
Drejtori i përgjithshëm i policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë që këto kamera do ta rrisin besimin e qytetarëve në policinë e vendit, do të tregojnë çdo tejkalim të kompetencave dhe moskryerjes së detyrës, por edhe dëshmitë ndaj kundërvajtjeve të caktuara në rrugë.
“Këto kamera do të përdoren nga njësitë tona të trafikut dhe nga njësitë e policisë kufitare”, ka thënë Hoxha në konferencë për media.
“Një pjesë e tyre do të shpërndahet edhe në veri të Kosovës nga njësitë tona që punojnë në atë pjesë. Ajo çfarë ne duam si polici, duam që publiku, komuniteti të ketë besim në Policinë e Kosovës edhe këto kamera besoj që do të ndikojnë pozitivisht në ngritjen e besimit të qytetarëve te policia jonë”.
“Falënderoj ekipet që kanë punuar një kohë të gjatë në trajnimin, përgatitjen e këtij projekti. Një punë të madhe e kanë bërë po ashtu agjencia për mbrojtjen e privatësisë!”