LAJME

Policia e Kosovës pjesë e ushtrimit `Shpata e Artë 2026-1`

Policia e Kosovës pjesë e ushtrimit `Shpata e Artë 2026-1`
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Korrik 2026, 15:38

Policia e Kosovës ka marrë pjesë më 2 dhe 3 korrik në ushtrimin e përbashkët operacional “Shpata e Artë 2026-1”, i zhvilluar në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, në bashkëpunim me FSK-në, KFOR-in, EULEX-in dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.

 

Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i ushtrimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritja e gatishmërisë për reagim të koordinuar në situata me rrezik të lartë dhe incidente kritike.

Skenari i ushtrimit ka përfshirë reagimin ndaj kërcënimeve të sigurisë, identifikimin dhe menaxhimin e mjeteve shpërthyese, përballjen me protesta të dhunshme, evakuimin e personave si dhe përdorimin e pajisjeve të specializuara në terren.

Në këtë ushtrim janë angazhuar njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës, përfshirë DNJSO, NJRSH, NJTME, NJDA, DSHSH dhe njësitë e rendit publik, duke demonstruar nivel të lartë profesionalizmi dhe koordinimi.

Ushtrimi është ndjekur nga drejtues të lartë të institucioneve vendore dhe partnerë ndërkombëtarë, të cilët kanë vlerësuar performancën dhe bashkëpunimin ndërmjet strukturave të sigurisë.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët, në funksion të garantimit të sigurisë dhe rendit publik në vend.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika