Policia e Kosovës, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pas veprimeve të ndërmarra në koordinim me njësitë e rendit të Policisë së Kosovës, muaj më parë kishte ndërmarrë një operacion të suksesshëm që ka rezultuar me zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie të madhe të dokumenteve të zbrazëta (blanko) të shteteve të ndryshme dhe pajisjeve që shërbejnë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Në muajin janar të këtij viti njësitë e rendit të Policisë së Kosovës në Prishtinë kishte ndaluar një automjet me targa vendore, që drejtohej nga i dyshuari me inicialet F.K., ku gjatë kontrollit është zbuluar një sasi e madhe e dokumenteve të zbrazëta.
Pas hetimeve të mëtejme, në të njëjtën ditë, në një shtëpi të dyshuar në lagjen Veternik të Prishtinës është zbuluar një laborator i pajisur me makina të ndryshme lazerike, printerë dhe pajisje të tjera që përdoren për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si dhe dokumente blanko me kopertina të shteteve të ndryshme të Evropës dhe botës.





