Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të kenë kujdes nga mashtrimi përmes disa platformave të ndryshme online që kanë nisur të qarkullojnë së fundmi, e të cilat joshin përdoruesit e internetit për investime.
Së fundi, keqbërësit kibernetikë janë duke mashtruar njerëzit përmes investimeve në kinse kriptovaluta përmes platformave fiktive që dyshohen se janë skema piramidale.
“Çdo ditë keqbërësit kibernetikë tentojnë të kryejnë sulme kibernetike të llojeve të ndryshme, duke shpresuar apo duke synuar që të gjejnë një viktimë të radhës, që mund të jetë secili prej nesh. Viktima të krimit kibernetik mund të jenë të gjitha shtresat e shoqërisë, dhe pasojat në shumë raste mund të jenë mjaft të mëdha si në aspektin psikologjik, fizik por edhe në aspektin material”, thuhet në një njoftim të Policisë të premten. “Me qëllim që të minimizojmë kërcënimet kibernetike dhe qytetarët të mos bien viktimë e tyre, Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes nga investime në platforma të panjohura të internetit”.
Policia ka treguar disa metoda që përdoren për joshje të viktimave për investime në skema mashtrimi:
Fitim i shpejtë dhe i garantuar;
Fitim në vlera joproporcionale dhe i pabazuar në trendin e kriptovalutave;
Ftesa për regjistrime në platforma përmes linqeve të ndryshme, përfshirë një kod personal përmes të cilit ju jeni ftuar për t’u regjistruar në platformë dhe ju mund të ftoni persona tjerë të investojnë dhe për secilin person të regjistruar ju merrni një shumë nga investimi;
Me qëllim të “bindjes” së përdoruesve se këto platforma janë gjoja të vërteta, në raste shumë të rralla disa persona shpërblehen duke iu kthyer mjetet;
Prezantim i rrejshëm i certifikatave të ndryshme për t’u dukur kinse janë platforma investimi të vërteta;
Platformat e investimeve janë të thjeshta, nuk kërkojnë shumë të dhëna për t’u regjistruar;
Platformat nuk janë të regjistruara në institucione financiare;
Njoftimi se e-mail adresa e juaj, numri i telefonit apo llogaria në rrjete sociale është përzgjedhur fituese;
Investimi tingëllon shumë i mirë për të qenë i vërtetë (psh.:Investo 200 euro për të marrë 400 euro brenda tri ditëve);
Në apel, Policia ka treguar edhe si të mbrohen qytetarët nga këto mashtrime:
Kërkoni në burime të hapura për platformën e caktuar dhe shikoni vlerësimet e bëra në internet;
Hulumtoni nëpër forume online dhe informohuni për platformën apo për projektin;
Nëse investimi është për kriptovaluta të reja shikoni dhe vlerësoni projektin e valutës;
Kontrolloni nëse kriptovaluta dhe projekti janë të regjistruara dhe janë të rregulluara nga institucione përkatëse financiare;
Analizoni dhe vlerësoni rrezikun e kthimit në fitim! Nëse fitimi është joproporcional dhe nuk është e qartë se si funksionon kthimi i fitimit konsideroni se kjo mund të jetë skemë piramidale;
Skemat piramidale mbështeten në një fluks të vazhdueshëm investitorësh të rinj, për të paguar kthime për investitorët e mëparshëm. Ata mund të përdorin metoda të ndryshme referimi ose taktika marketingu, për të nxitur investitorët ekzistues për të rekrutuar të rinj.
Konsultohuni me profesionistë që i njihni;
Nëse jeni viktimë e këtyre mashtrimeve, i raportoni ato në stacionin më të afërt policor;
Kujdes nga MASHTRIMET ME INVESTIME ONLINE!!! Mendoni dy herë para se të investoni online!