Një person i cili ishte arrestuar nën dyshimet për “dhunë në familje” kishte marrë një batanije që gjendej në dhomën e ndalimit në Stacionin Policor në Suharekë dhe kishte nisur që ta lidhte, e që me të, pretendohet se i dyshuari do ta përdorte për t’u vetëlënduar.
Kështu ka marrë një informacion KALLXO.com, për ngjarjen e cila është regjistruar më 16.07.2025.
KALLXO.com ka biseduar përmes telefonit me zëdhënësin e Policisë në Prizren Shaqir Bytyqin, i cili tha se rasti ishte identifikuar nga zyrtarët policorë të cilët gjendeshin në Qendrën e Ndalimit, e që më pas reaguan dhe hoqën batanijen.
“Ai nuk ka tentuar, pra nuk ka shku deri tek akti i vetëlëndimit, por është hasur nga zyrtarët policorë, derisa i dyshuari kishte marrë batanijen dhe kishte nisur ta lidhte në njërën nga pjesët e dhomës së ndalimit. Batanija ka qenë në dhomë, ndërsa i arrestuari ka nisur edhe që të krijojë situata brenda Stacionit – duke bërtitur dhe duke u treguar i padisiplinuar.” – ka thënë Bytyqi për KALLXO.com.
Në anën tjetër batanija që ishte në dhomë ishte larguar, ndërsa i dyshuari kishte vazhduar që të qëndrojë brenda ndalimit policor për të përmbushur 48-orëshin e caktuar nga Prokuroria për veprën penale “dhunë në familje”./Kallxo.com/