Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka deklaruar të enjten se gjatë takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq i ka adresuar shqetësimet e Serbisë lidhur me bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, shkruan “Index.hr”.
Plenkoviqi i shpjegoi Vuçiqit gjatë takimit në New Delhi se bashkëpunimi mes të tri vendeve është i fokusuar në aspektin teknik dhe jo i drejtuar kundër Serbisë.
“Ne kemi hequr dilemat që kuptuam se ekzistonin në Serbi sa i përket bashkëpunimit mes ministrive të mbrojtjes të Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë. I shpjegova se ky bashkëpunim është i fokusuar në aspektin teknik ndërmjet institucioneve tona dhe nuk është në asnjë mënyrë i drejtuar kundër Serbisë. Nga ajo që pashë në deklaratën e tij, duket se kjo tashmë është pranuar”, ka thënë Plenkoviq për gazetarët në margjinat e Samitit për Inteligjencën Artificiale në New Delhi.





