Pesë përfaqësues të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kanë takuar të premten edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin pritet të diskutohet për hapat e mëtejmë në dialogun Kosovë-Serbi.
Pos përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në takimet me Kurtin e Vuçiqin janë edhe, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltari diplomatik i kryeministrit të Italisë, Francesco Maria Talò dhe zëvendësndihmës sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh i dërguari posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.





