Në vitin 2018, pesë kosovarë dhe një italian kishin planifikuar dhe pjesërisht edhe kishin kryer disa grabitje në dyqanin e pompës së benzinës në Geuensee si dhe në bankat në Sursee dhe Reiden.
Gjashtë autorët kishin detyra të ndryshme në këto grabitje. Disa ishin shoferë ose vëzhgues, të tjerë kanë kryer grabitjet. Në këtë drejtim, mbrojtja është shprehur për “punë në grup mes të të barabartëve”.
Personat në fjalë duhej të përgjigjeshin në gjykatë, ndër të tjera, për grabitje të shumta, shkruan Luzerner Zeitung.
I fundit nga të gjashtët ka dalë përpara gjykatës penale të Lucernit në dhjetor. Autorët e tjerë janë gjykuar në tetor. “Italiani” ndodhet tashmë në paraburgim, ndërsa një tjetër në mesin e të akuzuarve është dënuar me burgim me kusht.
Vendimet përfundimtare janë tani në dispozitiv.
Për autorin e fundit të dënuar, një kosovar 33-vjeçar, prokurori publik kërkoi shtatë vjet burgim dhe dhjetë vjet dëbim nga vendi. Prokuroria publike e konsideron atë “kokë të bandës”.
I akuzuari thotë të ketë qenë bashkëpunëtor dhe jo kreu i bandës. Ky person, i lindur dhe rritur në Zvicër, i cili këtu po ashtu ka ndjekur shkollën dhe zanatin, po lufton për të qëndruar në Zvicër.
Në seancën gjyqësore, ai, duke folur për kërcënimin me dëbim nga vendi ka thënë: “Zvicra është atdheu im, unë nuk njoh asgjë tjetër. Më vjen keq për atë që kam bërë”. Mbrojtja ka kërkuar që të hiqet dëbimi nga vendi për klientin e saj.
Rasti nuk është përmbyllur ende
Tre bashkëpunëtorë të tjerë kanë kaluar më lehtë. Ata janë dënuar me tre vjet e nëntë muaj, dy vjet e nëntë muaj dhe dy vjet e katër muaj burg, përcjell albinfo.ch. Gjykata ka caktuar për ta dëbimin nga Zvicra për dhjetë vjet.
Të gjithë të dënuarit kanë gra, fëmijë dhe qendrën e jetës së tyre në Zvicër. Për ta dëbimi nga Zvicra është dënimi më i rëndë, kanë thënë në seancë avokatët e tyre mbrojtës.
Tre nga autorët ishin arrestuar në gusht të vitit 2018 teksa po përpiqeshin të plaçkisnin një degë banke në Reiden. Bashkëpunëtorët e tjerë më pas janë arrestuar gjatë hetimeve.
Njëri prej tyre ndodhet në burg që nga momenti i arrestimit, autorët e tjerë janë deri tani në liri. Me vendimin aktual, katër persona tani po përballen gjithashtu me dënime me burg. Avokatët mbrojtës të katër të dënuarve kanë bërë ankesë.