Janë përzgjedhur këngët që do të interpretohen në edicionin e sivjetmë të Festivalit tradicional të këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit 2025”, i cili do të mbahet më 26 shtator në Teatrin e Qytetit “Xhemajli Berisha” në Prizren.
Pas shpalljes së konkursit të rregullt për kompozime të reja, festivali ka pranuar një numër të madh këngësh nga të gjitha trevat shqiptare. Bordi organizativ ka caktuar një komision profesionistësh për përzgjedhjen e këngëve pjesëmarrëse, i cili ka shqyrtuar me kujdes të gjithë materialin e pranuar.
Komisioni përzgjedhës ka qenë në përbërje të:
- Kreshnik Aliçkaj – kompozitor dhe profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë,
- Kushtrim Jakupi – kompozitor, etnomuzikolog dhe profesor në Fakultetin AAB,
- Arta Jashari – solokëngëtare.
Pas vlerësimit profesional, janë përzgjedhur këto 15 këngë që do të interpretohen live në natën finale të festivalit:
- Veton Perolli – Tingujt e mandolinës
- Isa Jakupi – Shpirt, sy e buzë t’i dua
- Edon Ramadani – Qyteti i dashurisë
- Gazmend Kraja – Prizren dashni e vjetër
- Arsim Kryeziu – Jam arshik Prizrenali
- Andi Unaza – Melankoli
- Sami Pirraj – Ah moj zemër
- Hyrmet Celina – Guzel Sehrim
- Tonin Tarnaku – Asaj
- Dëfrim Behluli – Ti më ndodh
- Vlladimir Kotani – Nuk pendohem
- Artan Bakija – Këndojmë të vjetrën, këndojmë të renë
- Vullnet Ibrahimi – Motivi i Prizrenit
- Ylber Asllani – Ne po mplakemi, dashuria jo
- Gjergj Kaqinari – Në zemrën time
Organizatorët paralajmërojnë se këtë vit festivali do të sjellë risi të shumta, duke synuar të fuqizojë më tej vlerat e këngës qytetare dhe të krijojë një përvojë të pasur kulturore për publikun.
Për realizimin artistik të ngjarjes, do të angazhohen orkestrues profesionistë dhe solistë të përzgjedhur nga skena vendore e më gjerë, me qëllim që festivali të ruajë dhe avancojë standardet artistike që e karakterizojnë këtë ngjarje tradicionale.
“Zambaku i Prizrenit” mbetet një ndër festivalet më të rëndësishme të këngës qytetare shqiptare, duke ruajtur identitetin kulturor dhe duke e pasuruar vazhdimisht me krijimtari të re.
Këshilli Organizativ i Festivalit “Zambaku i Prizrenit 2025” ka theksuar se qëllimi mbetet i qartë, të ruhet tradita, të promovohen vlerat artistike dhe të ofrohet një mbrëmje e paharrueshme për artdashësit./tvprizreni.net/