Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) në procesin për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, të mërkurën ka përmbyllur procesin e intervistimit dhe të vlerësimit të kandidatëve për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së.
Në këtë proces janë paraqitur nëntë kandidatë. Një kandidate nuk e ka vazhduar garën duke u tërhequr nga gara në ditën e intervistimit.
Sipas njoftimit të Bordit të RTK-së, në kuadër të transparencës dhe mbarëvajtjes sa më të mirë dhe korrekte të procesit, rreth gjysmë ore para se të fillojnë intervistat, Bordi i televizionit publik, në prani dhe bashkë me monitoruesit, kanë përpiluar gjashtë pyetje për kandidatët.
Procesi i intervistimit është bërë në prani të monitoruesve nga organizatave vendore ( BIRN, FOL) dhe ato ndërkombëtare ( Zyra e BE-së, OSBE) anëtarëve të tri sindikatave ta RTK-së dhe një qytetari.
Tutje u tha se procesi i intervistimit ka qenë i ndarë ne dy pjesë, ku në pjesën e parë kandidatët kanë prezantuar konceptin strategjik për zhvillimin e RTK-së, ndërsa në pjesën e dytë ata janë përgjigjur në gjashtë pyetjet e njëjta.
“Secili anëtar i Bordit vlerësimin e ka bërë në mënyrë të pavarur për secilën pyetje. Gjithashtu, në kuadër të transparencës dhe vlerësimit korrekt, anëtarët e Bordit e kanë arsyetuar vlerësimin për secilën pyetje para anëtarëve të tjerë të bordit dhe monitoruesve”.
Bordi mes tjerash ka publikuar listën me rezultatet për secilin kandidat, për secilën pyetje dhe vlerësimin për strategjinë.
“Bazuar në rregulloren për procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm dhe menaxhmentit të larët të RTK-së, votimi do të mbahet në mbledhjen e radhës të Bordit të RTK-së”, thuhet në kumtesë.