Marshi u organizua nga organizata “You Can Do”, ku edhe janë shprehur pakënaqësi ndaj Qeverisë për mosrealizimin e kërkesave ndaj personave të verbër.
Kryetari i organizatës “You Can Do”, Jusuf Fazliu tha se është bërë “boll” me fjalë boshe. Ai i bëri thirrje Qeverisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës, që të ndërmarrin hapa në përmirësimin e kushteve për personat e verbër.
“Problem kryesore janë çështja e infrastrukturës, mungesa e pllakave taktile, mungesa e sinjalizimit në stacionet e autobusëve, ku do të kishte qenë një lehtësi edhe një nevojë e madhe që personat e verbër të lëvizin vetë. Gjithashtu, edhe sinjalizimi i trafikut urban dhe atij ndërurban që ne mos të kemi nevojë të marrim shoqërues dhe mos të paguajë taksi dhe kosto shumë ta larta sepse është e papërballueshme. Do t’u bëjmë thirrje Qeverisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës se ka ardhur dita dhe boll më, çdo vit me fjalë boshe dhe mos të realizojnë asgjë në të mirë”, tha Fazliu.
Fazliu tregoi se në kuadër këtë kësaj jave do të organizojnë aktivitete të ndryshme, duke filluar me shfaqjen e videove vetëdijesuese. Ai shtoi se do t’u mësojnë alfabetin brail, disa mësimdhënësve në Komunë e Podujevës.
Anëtari i organizatës “You Can do”, Betim Bregovina tha se Qeverisë në më pak se dy vjet i duhen votat dhe për t’i marrë ato duhet të kryejnë punën e tyre në krijimin e mundësive më të mira për personat e kësaj kategorie.
“Ka disa pika shumë të vogla ku ka filluar të vendosen pllakat taktile, por ato pika nuk na bëjnë neve si komunitet që të kemi mundësi të lëvizim të pavarur edhe të kryejmë aktivitete të dinjitetshme pa e pasur mbështetjen edhe të një personi tjetër. Kemi dalë para Qeverisë për t’ia bërë të ditur që edhe dy-tri vjet vijnë zgjedhjet, edhe dy vjet, më pak se dy vjet, sigurisht duhen edhe votat tona, e nëse i duhen votat tona, ne na duhet puna e tyre”, tha Bregovina.
Kurse, menaxherja e projekteve në kuadër të organizatës “You Can Do”, Saranda Krasniqi tha se me këtë marsh e kanë nisur Javën Ndërkombëtarë të Njeriut me Shkop të Bardhë, ku do të vazhdojnë me aktivitete të tjera, ndër to edhe mësimi i alfabetit brail për personat e verbër.
“Aktiviteti i parë që organizata ‘You Can Do’, ka vendosur të bëjë është marshi. Kemi filluar ecjen prej katedrales e deri te Qeveria. Më pas e kemi një drekë që do të diskutojmë rreth problemeve që i kanë pasur njerëzit gjatë ecjes, dhe të shohim se me çfarë kërkese t’iu drejtohemi institucioneve përkatëse dhe çfarë duhet të ndryshohet. Gjatë kësaj jave kemi aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me mësimin e alfabetit brail për personat e verbër, do të mbajmë edhe një ekspozitë tjetër që organizata ‘You Can Do’, e ka krijuar me po të njëjtit persona”, potencoi Krasniqi.
Nga e diela deri më 22 tetor, shënohet “Java e njeriut me shkop të bardhë”. 15 tetori nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, nga viti 1964 i është dedikuar të verbërve, njerëzve me shkop të bardhë dhe ka për qëllim sensibilizimin e shoqërisë që në mesin e tyre janë edhe njerëzit e verbër, po aq të rëndësishëm sa gjithsecili prej nesh. /KSP