Për shkak të mospajtimeve mes pozitës dhe opozitës, Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme nuk e ka miratuar marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Anëtarët e komisionit nuk u pajtuan për paragrafin 2 të nenit 2 të projektligjit, ku flitet për objektivin kryesor të Bordit të Paqes. Kësisoj, u vendos për formimin e një grupi punues për të modifikuar këtë nen.
Kryetarja e komisionit, deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, theksoi nevojën e formimit të këtij grupi punues, siç tha, për të riformuluar atë paragraf, pasi duhet të dihet se bëhet fjalë për rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe garantimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.
Sipas saj, kjo nuk do të thotë se janë kundër marrëveshjes, as nuk po ia humbin meritat ish-presidentes Vjosa Osmani për angazhimin e saj, mirëpo duhet të sqarohen të gjitha dispozitat e marrëveshjes. Madje, sipas saj, duhet parë edhe nëse është në përputhje me ligjet dhe direktivat e Bashkimit Evropian.
“Marrëveshja ndërkombëtare është procedurë në Kuvend, sponsor i kësaj marrëveshjeje është ish-presidentja e Kosovës dhe askush nuk po e mohon këtë fakt. Ajo ka nënshkruar dhe ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Jemi në rregull deri te kjo pjesë dhe marrëveshjen që na është dërguar në Kuvend. Mos të nisemi prej asaj që ne duhet të trajtojmë projektligjin vetëm nëse ai është voluminoz dhe nëse i paska katër nene s’kemi punë aty. Unë mendoj se shumë problematik mund të jetë ky projektligj me kaq pak përmbajtje sesa një projektligj i cili mund të ketë disa nene të caktuara. I ka vetëm katër nene, por është vetëm një paragraf domethënës në këtë projektligj me katër nene që mund të themi ka dhjetë fjali në total. Por fjalia e nenit dy, paragrafit dy, është problematike dhe nëse vazhdon të mbetet në projektligj pa u përmirësuar. Unë mendoj se në formulim ka probleme projektligji… Ne duhet të dimë cilën qeverisje po e rivendosim aty? Cilat konflikte po i referohemi? Aktualisht ka shumë konflikte në botë”, tha ajo.





