Është përmbyllur edicioni i tretë i “Akademisë së Juristëve të Rinj”, program i organizuar nga Lëvizja FOL, i cili mblodhi studentë dhe juristë të rinj për diskutime dhe ushtrime praktike mbi çështje të drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe praktikës gjyqësore.
Gjatë aktivitetit, fokusi kryesor ishte balancimi i të drejtave kushtetuese dhe ligjore me luftën kundër kriminalitetit, si dhe mbrojtja e të drejtës për liri dhe siguri.
Në sesionin e parë, kryeprokurori i Prokuroria Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, diskutoi mbi sfidat e balancimit të të drejtave kushtetuese dhe ligjore në raport me luftimin e kriminalitetit, duke theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve të të drejtave të njeriut në procedurat penale.
Ndërkaq, Leutrim Syla trajtoi të drejtën për liri dhe siguri, aspektet përkufizuese të saj dhe mjetet juridike për mbrojtje, duke ofruar një analizë krahasuese ndërmjet legjislacionit vendor dhe praktikës së Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Po ashtu, Burim Ademi prezantoi praktikën e Gjykata Supreme e Kosovës lidhur me të drejtën për liri dhe siguri, në kontekst të mbikëqyrjes gjyqësore të vazhdimit të paraburgimit.
Në pjesën e dytë të sesionit, pjesëmarrësit zhvilluan një proces gjyqësor të simuluar, ku morën role të ndryshme dhe paraqitën argumentet e tyre juridike.
Nga Lëvizja FOL u shpreh falënderim për mbështetjen e Konrad-Adenauer-Stiftung Kosovo në realizimin e akademisë, si dhe për ligjëruesit dhe pjesëmarrësit që kontribuuan në krijimin e një hapësire aktive për zhvillim profesional dhe shkëmbim përvojash.





