Eksperti amerikan, Dr. Carl Canlas, ka përfunduar vizitën e tij në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, e realizuar në kuadër të programit prestigjioz Fulbright Specialist.
Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në zhvillimin e aktiviteteve akademike dhe profesionale, Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, i ndau një mirënjohje Dr. Canlas. Me këtë rast, Alishani e falënderoi atë për angazhimin, ekspertizën dhe bashkëpunimin e frytshëm me stafin akademik, administrativ dhe studentët, duke theksuar rëndësinë e projekteve ndërkombëtare në avancimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe forcimin e lidhjeve akademike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit të tij në universitet, Dr. Canlas zhvilloi një sërë trajnimesh, punëtorish dhe ligjëratash për stafin akademik, administrativ dhe studentët. Aktivitetet u fokusuan në fushat e inteligjencës artificiale, inovacionit dhe arsimit të lartë, duke ofruar mundësi për shkëmbim përvojash, zhvillim profesional dhe diskutime mbi përdorimin etik dhe efektiv të teknologjive të reja në mjedisin universitar.





