Ka përfunduar rinumërimi i votave në komunën e Dragashit, e cila është bërë e para nga dhjetë komunat e parashikuara për rinumërim 100 për qind pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Pas rinumërimit, kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje nga kjo komunë, Filiz Mustafa, i kanë rezultuar mbi 200 vota më pak. Ai nga 3036 vota sa kishte në rezultatet preliminare, ka rënë në 2805 vota (231 vota më pak). Për momentin, ai nuk ka arritur ta sigurojë mandatin e deputetit.
Në procesin e rinumërimit nuk janë përfshirë votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta, votat nga përfaqësitë diplomatike, si dhe ato me postë.
Në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë 4686 vota, ndërsa pas rinumërimit i janë shtuar dy vota, duke arritur në total 4688 vota.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka humbur 20 vota – nga 3973 në rezultatet fillestare, në 3953 pas rinumërimit. Glauk Konjufca, i cili fillimisht ishte renditur i treti me 2972 vota, pas rinumërimit është ngjitur në vendin e dytë, por me më pak vota, gjithsej 2944. Albulena Haxhiut i janë hequr 12 vota (nga 1360 në 1348), ndërsa Donika Gërvallës tri vota, nga 1285 në 1282.
Nga ana tjetër, Lidhjes Demokratike të Kosovës, e renditur e dyta në Dragash, i është shtuar një votë, nga 2442 në 2443. Kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, i janë hequr tetë vota, nga 1950 në 1942. Samidin Xheladini ka rënë nga 1623 në 1617 vota, ndërsa kandidatja Esra Myrtezani ka shënuar rritje për katër vota, nga 1490 në 1494. Zeni Krasniqi ka rënë nga 1362 në 1346 vota, ndërsa Xhavit Uka nga 1211 në 1206.
Partia Demokratike e Kosovës ka mbetur me numër të njëjtë votash si në rezultatet fillestare, ashtu edhe pas rinumërimit – gjithsej 2220 vota. Megjithatë, disa kandidatë kanë pësuar rënie: Bedri Hamzës i janë hequr shtatë vota (nga 1821 në 1814), Hamdi Muhametit 23 vota (nga 1219 në 1196), Linda Nebiut 74 vota (nga 931 në 857), Kujtim Gashit shtatë vota (nga 746 në 739), ndërsa Arian Tahirit tri vota (nga 584 në 581).
Veç Dragashit, 100 për qind e votave do të numërohen edhe në Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug. Në 28 komunat e tjera, po rinumërohen 10 për qind e vendvotimeve.
