Fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit pritet të shënojë ngecje në punët e nivelit qendror, meqë deputetë e ministra do të jenë në garë për kryetarë të komunave. Sipas shoqërisë civile energjia do të përqendrohet në garën për të fituar sa më shumë komuna duke lënë kështu në plan të dytë punët për të cilat kanë mandat.
Ligji nuk i ndalon deputetët e as ministrat që të jenë pjesë e garës për zgjedhje lokale dhe derisa të certifikohen për mandatin për të cilin kanë garuar, ata mbajnë njëkohësisht postin tjetër në institucione.
Sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës dhe fushata zgjedhore do të fillojnë në javën e tretë të shtatorit, por drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani vlerëson se angazhimi i politikanëve në fushatë zgjedhore do të pengojë në punën në Kuvend.
“Do të jetë sfidë në vete kur e ke parasysh që janë zgjedhje të rregullta, fushata zgjedhore zgjat 30 ditë dhe vërtetë di të jetë sfidë, jo vetëm sa i përket anës së Kuvendit por njësoj e kemi edhe me ministrat të cilët kandidojnë për kryetar të komunave dhe puna e tyre do të jetë një hendikep derisa nuk e lirojnë pozitën aktuale që të merren vetëm me fushatë gjatë zgjedhjeve, plus këtu shtohet situata me pandeminë që fatkeqësisht është alarmante për sa i përket numrit të të infektuarave, ashtu edhe numrit të të vdekurve kemi një numër shumë të madh, kështu që nuk e di si do të menaxhohet, mbetet të shihet, por kjo padyshim që do të pengojë në zhvillimin normal qoftë të seancave”, thotë Demolli-Nimani.
Ndërsa Emir Abrashi nga Demokraci Plus, thotë se mungesa e deputetëve në komisione parlamentare e në seanca do të jetë e shtuar gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.





