Komunën e Dragashit e vizitoi Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Caroline Ziadeh, e cila ishte e shoqëruar edhe nga përfaqësues nga Zyra e UNMIK-ut në Pejë dhe përfaqësues të shoqatës partnere “Advancing Together”. Ata u pritën nga kryetari i komunës, Bexhet Xheladini, së bashku me kryesuesen e Kuvendit, Arijeta Skeraj, nënkryetarin e komunës nga radhët e komuniteteve, Fejsal Halilović, drejtorin e Shëndetësisë, Behar Brenoli, shefin e Zyrës për Komunitete, Uzair Hamza, si dhe zyrtaren për Barazi Gjinore, Lindita Kozmaqi Piraj.
Në njoftimin e kësaj komune, thuhet se temë qendrore e diskutimit gjatë takimit në zyrën e kryetarit ishte bashkëpunimi i ndërsjellë dhe mbështeja e ofruar nga UNMIK-u, veçanërisht në zbatimin e projekteve, siç janë Papa Testi dhe përmirësimi i shërbimeve dentare në QKMF.
“Kryetari Xheladini është shprehur mirënjohës dhe ka falënderuar znj.Caroline Ziadeh dhe bashkëpunëtorët tjerë për bashkëpunimin, duke theksuar se mbështetja e tyre ndaj komunës së Dragashit është një tregues i partneritetit të vazhdueshëm. Gjatë takimit, kryetari Xheladini e informoi gjerësisht znj.Caroline Ziadeh lidhur me politikat e komunës së Dragashit për avancimin e të drejtave të komuniteteve, siç janë respektimi i dygjuhësisë dhe ndarja e mjeteve në proporcion me përqindjen e popullsisë. Ai gjithashtu përmendi edhe avancimin e të drejtave gjinore në komunën tonë, duke vënë theksin në zgjedhjen apo emërimin e katër grave në pozita udhëheqëse, si kryesuesja e Kuvendit, drejtoresha e DKRS-së, drejtoresha e çerdhes dhe zëvendësdrejtoresha e QKMF-së. Pastaj, ofrimin e shërbimeve falas për qyetarët tanë, por edhe për qytetarët e Shqipërisë, si dhe ofrimin e shërbimeve dentare për personat me nevoja të veçanta (ndërtimi i ordinancës stomatologjike në katin e parë të QKMF-së)”, shkruan në njoftimin e komunës së Dragashit në Facebook.





