Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se është propozuar që paga minimale të jetë 264 euro në muaj, por se nuk është miratuar nga përfaqësuesit e sindikatave.
Murati me anë të një shkrimi në Facebook ka theksuar se ky mos-votim do t’i lë punëtorët e sektorit privat me pagën minimale ekzistuese.
“Sapo përfunduam takimin e Këshillit Ekonomik Social ku pikë e rendit të ditës ishte miratimi i propozimit për pagën minimale. Përllogaritja sipas udhëzimit administrativ që u prezantua para KES ishte 240.2 euro/muaj. Megjithatë, ne si Qeveri propozuam që paga minimale të jetë 264 euro/muaj, apo 1.5 euro/orë, që është në vijë edhe me premtimet tona për pagë minimale dhe për lirimin e saj nga tatimi. Megjithatë, propozimi nuk morri votat e nevojshme sepse përfaqësuesit e sindikatave nuk e mbështetën”, ka njoftuar Murati.





