LAJME

Për pesë muaj, mbi 5,500 kosovarë morën leje pune në Gjermani

Për pesë muaj, mbi 5,500 kosovarë morën leje pune në Gjermani
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Dhjetor 2024, 15:59

Që nga zgjerimi i Rregullores së Ballkanit Perëndimor nga qeveria gjermane në qershor të këtij viti është dyfishuar numri i punëtorëve nga rajoni në Gjermani. Nga qershori deri në nëntor 2024 autoritetet gjermane dhanë 25.000 leje pune për qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Mali i Zi, aq sa për të gjithë vitin e kaluar, raporton DW.

Sipas informacioneve, shumica e punëtorëve migrantë kanë ardhur nga Kosova (5,564) dhe Serbia (4,239).

Kërkohet zgjerim i Rregullores

Të dhënat dalin nga përgjigja e Ministrisë Federale të Punës sipas një kërkese të liberalëve. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor e ofruar nga qeveria gjermane në vitin 2016 u ofrua për të ulur numrin e kërkesave për azil nga vendet e Ballkanit.

Ajo cilësohet si “sukses i plotë” nga zëvendëskryetari i partisë liberale, Konstantin Kuhle, i cili kërkoi madje rritjen edhe më tej të kontingjentit të punëtorëve jo vetëm nga Ballkani, por edhe vende të tjera.

“Kuptimi i kësaj rregulloreje të Ballkanit Perëndimor është që duke lehtësuar qasjen në tregun gjerman të punës të reduktojmë migracionin e parregullt në sistemin e azilit”, është shprehur Kuhle.

Kjo rregullore mundëson marrjen e vizës së punësimit në Gjermani pavarësisht kualifikimit. Kusht për këtë është një ofertë konkrete pune apo një kontratë pune. /DW

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika