Për herë të parë në Klinikën e Otorinolaringologjisë(ORL), të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës(QKUK), është kryer një ndërhyrje e rrallë kirurgjike në hundë, me metodën e re FESS (Kirurgjia Endoskopike e Sinusëve).
Operacioni ka zgjatur mbi 3 orë, është kryer nga Dr.Arsim Thaqi, i cili për shumë vjet me sukses të plotë ka specializuar dhe punuar në institucione prestigjioze në Gjermani, e që me lejen dhe aprovimin e Ministrisë së Shëndetësisë, operacionin e ka kryer në mënyrë vullnetare, derisa mjeku është asistuar edhe nga specialistët dhe specializantët e Klinikës së ORL-së.
Dr. Thaqi, është profesionist i shquar që nga diaspora së fundmi ka vendosur që në mënyrë vullnetare të operojë disa pacientë në QKUK, operacione këto për të cilat pacientët ishin referuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.





