ShSKUK njofton se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë trajtuar me sukses 7 pacientë të rritur me defekte në septumin interatrial, duke përfshirë 4 raste të ASD (Defekti i Septumit Atrial), që është një anomali strukturore në zemër ku ekziston një vrimë ose defekt në murin (septumin) që ndan dy dhomat e sipërme të zemrës, dhe 3 raste të PFO-(Patent Foramen Ovale) i cili është një defekt i vogël në zemër që ndodh te një vrimë natyrale midis atriumit të djathtë dhe atij të majtë.
Me anë të një postimi në Facebook të ShSKUK-së bëhet e ditur se këto procedura u kryen për herë të parë në Kosovë, nga një ekip mjekësor vendor i përbërë nga Dr. Daut Gorani, Dr. Denis Zijabegu dhe Dr. Aurora Bakalli, nën mbikëqyrjen e profesorit italian, Prof. Dr. Eustahio Oracio.








