LAJME

Nga e hëna nis pajisja e qytetarëve me identitet elektronik në shtatë qendra rajonale

Nga e hëna nis pajisja e qytetarëve me identitet elektronik në shtatë qendra rajonale
TV Prizreni
TV Prizreni
3 Nëntor 2026, 19:55

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka njoftuar për lansimin e Platformës Nacionale të Identifikimit Elektronik (eID) dhe Kuletës Digjitale të Kosovës, përmes së cilave synohet lehtësimi dhe siguria e kryerjes së shërbimeve digjitale.

Përmes një postimi në Facebook, Jagxhiu bëri të ditur se nga e hëna qytetarët mund të pajisen me identitet elektronik në shtatë qendrat rajonale të Agjencisë së Regjistrimit Civil, ndërsa në fazat e ardhshme shërbimi do të zgjerohet edhe në komunat e tjera.

Sipas tij, platforma u mundëson qytetarëve dhe bizneseve të identifikohen në mënyrë të sigurt, të nënshkruajnë dokumente elektronikisht dhe të kryejnë shërbime e transaksione nga distanca, pa pasur nevojë për paraqitje fizike apo dokumente në letër.

“Identiteti elektronik do të ruhet në Kuletën Digjitale të Kosovës, e cila është e disponueshme për pajisjet Android dhe iOS. Ndërkaq, aplikacioni eSign mundëson nënshkrimin elektronik të dokumenteve përmes telefonit apo kompjuterit”, ka njoftuar ai.

Ministri bëri të ditur se identiteti elektronik tashmë është integruar edhe në platformën eKosova, duke mundësuar kyçje të sigurt pa fjalëkalim dhe nënshkrim elektronik të dokumenteve.

Një ndër përdorimet e para është integrimi i nënshkrimit elektronik në procesin e regjistrimit të bizneseve.

Në vazhdim, projekti parasheh zgjerimin e përdorimit të platformës në shërbime publike dhe private, lëshimin e vulave elektronike për biznese dhe organizata, si dhe harmonizimin me kornizën evropiane të identitetit digjital, me synimin që këto shërbime në të ardhmen të përdoren edhe përtej kufijve të Kosovës.

Jagxhiu ka falënderuar institucionet vendore të përfshira në realizimin e projektit, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Agjencinë e Regjistrimit Civil, Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve dhe Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit.

Ai ka shprehur mirënjohje edhe për Bashkimin Evropian për financimin e projektit përmes fondeve IPA, si dhe për konsorciumin përgjegjës për implementimin e platformës.

Sipas ministrit, rëndësia e kësaj platforme do të matet përmes përdorimit të saj nga qytetarët dhe bizneset, si dhe zgjerimit të shërbimeve që mund të kryhen në mënyrë elektronike./teve1.info/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika