Kryetari i Odës së mjekëve të Kosovës (OMK), Pleurat Sejdiu ka thënë se nga fillimi i këtij viti 20 mjekë kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm për largim nga Kosova.
Sejdiu ka deklaruar se ky trend është i njëjtë dhe se për këtë kërkohen të ndërmerren masa për ta parandaluar ikjen. Në të kundërtën sipas tij, brenda dy vjetësh do të vërehet mungesa e tyre në nivelin terciar.
Ndonëse numri i atyre që kërkojnë të punësohen jashtë Kosovës është i madh, 440 mjekë tjerë sipas Sejdiut janë të papunë. Për këtë Sejdiu kërkon që ata të sistemohen sa më shpejtë.
“Këto një muaj e gjysmë të këtij viti janë 20 kolegë tanë të cilët vetëm se kanë marr dokumentacionin e duhur që të nënshkruajnë kontrata me shtetet e perëndimit këtë rast shumica në Gjermani. Disa prej tyre janë në ditët e fundit apo javët e fundit në largim. Trendi është i njëjtë si vitet e kaluar që fatkeqësisht mund të them që brenda dy viteve do të ndihet mungesa e tyre në nivelin terciar, në nivelin primar vetëm se është duke u ndjerë. Është një problem menaxherial gjithashtu edhe politik, ne i kemi afër 440 mjek të pa punë të cilët presin të punësohen, sistemi primar nuk e bënë atë që duhet bërë t’i pranonte ata në punë e t’i shpërndanë ata. Momentalisht mjeku është në pozitë të keqe, nuk ka vende pune, janë në presion të largohen nga Kosova nga vetvetja flasë, nuk shohin një perspektivë”, është shprehur Sejdiu në shënimit të Ditës përkujtimore të profesionistëve shëndetësorë.
Para obeliskut e ndërtuar para hyrjes kryesore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Sejdiu ka theksuar se kontributi i profesionistëve shëndetësorë ndër vite ka qenë i madh.
Kryetari i OMK-së ka thënë sot odat e profesionistëve shëndetësorë në Kosovë përkujtojnë sakrificat e punëtorëve shëndetësorë ndër shekuj.
Kosova sipas tij, sfidë të madhe e ka ikjen e profesionistëve shëndetësorë.
“Jo rrallë herë profesioni jonë është stigmatizuar por ne prapëseprapë kemi vazhduar punën përkundër luftës politikes ndaj neve që është bërë në të kaluarën, kundër stigmës që është bërë ndaj neve. Por ne çdo here si punëtorë shëndetësor kemi kryer punën tonë dhe vazhdojmë ta kryejmë punën tonë pa marr parasysh ambientin ku jemi”, është shprehur Sejdiu.
“Sfidat kryesore tani që i kemi është kushtet e punës të cilat përkundër përmirësimeve ndër vite nuk janë ato të cilat punëtori shëndetësor do të ishte në gjendje të jap maksimumin e tij në anën kualitative. Sfida më e re që e kemi tani largimi i mjekëve të ri të cilët do të duheshin ta ndërrojnë gjeneratën tonë, ta përtërijmë sistemin, fatkeqësisht viteve të fundit kemi trend i cili pak a shumë na tremb”, ka deklaruar ai.
Odat e Profesionistëve Shëndetësor në shkurt të viti 2022 pat nxjerrë vendimin që data 16 shkurt shpallet ditë Përkujtimore e profesionistëve shëndetësor në Republikën e Kosovës.
OPSH-të këtë datë të çdo viti kalendarik, e ka shënuar përmes aktiviteteve të ndryshme. /EO