LAJME

Për 41 pozita në Telekomin e Kosovës punonjësit kanë gradë të njëjtë por nuk paguhen njësoj

Për 41 pozita në Telekomin e Kosovës punonjësit kanë gradë të njëjtë por nuk paguhen njësoj
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Qershor 2023, 21:31

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në Telekomin e Kosovës se për 41 pozita punonjësit nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë.

Në raport thuhet se edhe pse gjatë vitit 2022 ishte hartuar rregullorja për marrëdhënie pune dhe rregullorja për sistematizimin e vendeve të punës, mirëpo ende nuk është implementuar në tërësi procesi i ristrukturimit. Sipas konfirmimeve zyrtare, ky proces do të finalizohet gjatë vitit 2023.

Auditori thotë se pagesa e punonjësve për pozita të njëjta me grada të ndryshme mund të ndikojë në ngritjen e padive eventuale ndaj ndërmarrjes për mostrajtim të barabartë, e cila mund të rezultojë me shpenzime gjyqësore shtesë.

“Bordi i drejtorëve të sigurojë që përmes akteve të brendshme të fuqizojë kontrollet e brendshme, të cilat do të pamundësojnë që punonjësit në pozitat e njëjta të paguhen me grada të ndryshme” – thuhet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për bordin e ndërmarrjes.

Sipas Ligjit të punës, specifikohet se punëdhënësi duhet t’i paguajë punonjësit kompensimin e njëjtë për punën e vlerës së njëjtë, kompensimin i cili mbulon pagën bazë dhe shtesat e tjera.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të Telekomit të Kosovës në raportin e saj për vitin 2022.

Raporti i vitit 2021 kishte rezultuar me 29 rekomandime për Telekomin e Kosovës. Deri në fund të auditimit në vitit 2022, sipas Auditorit, 19 rekomandime ishin zbatuar, katër nuk aplikohen më, katër rekomandime nuk janë zbatuar ndërsa një nuk është adresuar ende.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika