Policia ka njoftuar se në dhjetë ditët e para të muajit gusht 2025, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, përmes stacioneve policore në të gjitha komunat e rajonit, ka intensifikuar aktivitetet parandaluese dhe veprimet operative në kuadër të planit operativ “Sezoni Veror 2025”, me moton vetëdijesuese “Festo me zemër, jo me armë”.
Sipas njoftimit, qëllimi kryesor i këtyre veprimeve ka qenë parandalimi i të shtënave festive me armë zjarri në ambiente familjare dhe publike, të cilat paraqesin rrezik të përgjithshëm për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
“Në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, policia ka arritur të identifikojë raste konkrete të përdorimit të armëve zjarri, ku janë arrestuar disa të dyshuar, si dhe janë sekuestruar gjithsej 11 armë zjarri (7 pistoleta dhe 4 pushkë) dhe është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e municionit. Ndaj të gjithë të dyshuarve janë ngritur kallëzime penale për veprat: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në raportin e policisë.





